Një Gjykatë Apeli holandeze ka hedhur poshtë emërimin e Luis Van Gal si shef ekzekutiv të Ajaks, një fitore për anëtarin e bordit drejtues të këtij klubi, Johan Krujf, i cili nuk e dëshiron ish-trajnerin në bord.
Ky vendim ishte ngjarja e fundit në një betejë të ethshme brenda bordit drejtues të Ajaksit, ku Krujf u është kundërvënë 4 anëtarëve të tjerë.
Gjykata e Apelit e Amsterdamit, në vendimin e shkruar, thekson se anëtarët e tjerë të bordit “e nxorën jashtë loje me dashje” Johan Krujf “duke emëruar Van Gal dhe një drejtor tjetër, Martin Sturkenbom në nëntor pa u këshilluar më parë me të”.
Avokati i Johan Krujf u shpreh se Van Gal mund të punonte në klub, nëse do të ndiqeshin rregullisht të gjitha procedurat brenda bordit drejtues, një njoftim që u publikua edhe në faqen e internetit të Ajaks, klub që është shpallur katër herë Kampion Evrope.
Beteja mes Krujf dhe Van Gal ka filluar që në periudhën kur ky i fundit drejtonte Barcelonën. Që atëherë, ata nuk kanë kursyer kritikat dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit, duke i mbyllur rrugën çdo bashkëpunimi të mundshëm. (LajmeShqip.com)