20 mijë tifozët belgë që kanë nxjerrë veten në shitje gjatë Euro 2012 për të fituar para për Unicef, duket se janë kthyer në një armë të fuqishme “tersndjellëse”. Shkak është bërë fakti se dy skuadrat për të cilët ata kanë bërë tifo gjatë Euro 2012, janë eliminuar me sukses, Holanda dhe Anglia.
Fillimisht ata u blenë për 3000 euro nga një tifoz holandez i cili i ftoi të bënin tifo për kombëtaren e tij, por “tulipanët” u eliminuan që në grup pa shumë shkëlqim dhe tifozët belgë e panë përsëri veten në shitje.
Në ankandin e dytë në “Ebay”, ata u blenë nga një tifoz anglez, i cili shpresonte që të kishte sa më shumë mbështetës për “tre luanët”. Por Anglia u eliminua përsëri pa shumë bujë nga Euro 2012 dhe tifozët belgë respektuan “zinë” prej 24 orësh e pastaj nxorën përsëri veten në shitje.
Por këtë radhë ka ndodhur çudia, pasi janë blerë nga një tifoz gjerman, i cili nuk dëshiron që ata të bëjnë tifo për ekipin që drejtohet nga Joakim Lëv, duke parë precedentët e rrezikshëm. Ai i ka ngarkuar atyre detyrën që të bëjnë tifo për Spanjën, duke shpresuar që si dy skuadrat e tyre të mëparshme, të bëjnë”magji” dhe të eliminojnë ekipin e Del Boskes.
“Blerësi ynë mendon se Gjermania do ta mundë Italinë edhe pa ndihmën tonë, ndaj këtë radhë ne do të përdoremi si një kukull për magji të zezë. Sigurisht që mbështetja jonë do të jetë e pakufizuar për Spanjën. Vamos Espana!”, ishte mesazhi i organizatorit Liven Shire, i cili bëri të ditur se “magjia e zezë” këtë radhë kishte çuar në arkat e Unicef vetëm 82 euro të paguara nga ky tifoz gjerman. (LajmeShqip.com)
Gjysmëfinalet
27.06.2012
Portugali-Spanjë 20:45
28.06.2012
Gjermani-Itali 20:45