Bajern Mynih ka fituar 2-1 ndaj Real Madrid por në fund të ndeshjes, është parë qartë që shumë prej futbollistëve bavarezë kanë qenë të zemëruar me gjyqtarin kryesor të ndeshjes, anglezin Hauard Ueb. Sipas tyre, ky i fundit ka lejuar shumë ndërhyrje të parregullta të madrilenëve duke mos i ndëshkuar, ku kulmi u mbush me shkelmin e Marselos ndaj Myler që ishte i ndëshkueshëm me karton të kuq.
“Ishte një ndeshje emocionuese që meritonte një gjyqtar më të mirë. Evropa ka gjyqtarë më të mirë se ky”, ishte komenti i shefit të bordit drejtues të klubit gjerman, Karl Hainc Rumenige.
Vetë Myler ka qenë shumë i zemëruar me vendimin e Ueb, pasi e cilëson ndërhyrjen e Marselos të qëllimshme për ta dëmtuar. “Nuk e kam parë përsëritjen e aksionit por në fushë kisha ndjenjën që Marselo thjesht dëshironte të më godiste dhe ia arriti qëllimit. Do më duhet të bëj një kontroll pasi ndjej dhimbje”, the ai dhe këtë gjë ia kishte thënë edhe gjyqtarit Ueb në përfundim të sfidës.
I të njëjti mendim është edhe Filip Lahm. “Ndërhyrja e Marselos ishte për karton të kuq, sidomos po ta krahasosh me ndërhyrjen për të cilën unë mora një karton të verdhë”, ishin fjalët e tij duke iu referuar pabarazisë në trajtim që u ishte bërë nga gjyqtari anglez. (LajmeShqip.com)