Mario Gëtze, talenti më i madh i futbollit gjerman, është i sigurt se Borusia Dortmund do të triumfojë në sfidën përballë Bajern Mynih që luhet nesër në darkë dhe do të marrë titullin kampion përballë gjigandëve bavarezë.
Ai nuk ka ngurruar të tregojë edhe rezultatin e saktë të kësaj sfide sipas tij, në një intervistë të dhënë për “Kicker”.
“Borusia fiton 2-1 pasi ne luajmë në shtëpi. Kuptohet që përballë Bajernit duhet dhënë më shumë se 100%. Por pasi kemi fituar 3 ndeshje radhazi ndaj tyre, ne e dimë se si duhet të ndjehesh në takime të tilla”, ka treguar mesfushori i talentuar.
Ai ka pranuar se në radhët e Bajern ka kampionë të panumërt, ku sipas tij, më i talentuari është padyshim shoku i repartit në kombëtaren gjermane, Bastian Shvajnshtajger. “Nuk ka lojtar më të mirë në pozicionin e tij në Gjermani”, ishte lëvdata e 19 vjeçarit, i cili më pas ka munduar të kalojë trysninë pikërisht te Bajerni, duke thënë se bavarezët janë ende një skuadër më e mirë se Dortmundi.
“Ata janë ende para, po të shohësh vitet e fundit në Ligën e Kampioneve apo Kupën e Gjermanisë. Po gjërat mund të ndryshojnë dhe ne jemi në rrugën e duhur për t’i rivalizuar”, ishin fjalët e tij. (LajmeShqip.com)