Xhenaro Gatuzo, mesfushori simbol i Milanit, i ka marrë më sportivitet zërat e merkatos që shohin Alesandro Nestën dhe Klarens Sedorf t’i bashkohen Juventusit gjatë merkatos së verës, pasi të mbyllin kontratat ekzistuese me kuqezinjtë.
“Janë 9-10 lojtarë në fundin e kontratave të tyre dhe duam që të fitojmë në mënyrë që të vazhdojnë të qëndrojnë këtu. Nuk është një gjë e bukur të dëgjosh se fillimisht Nesta e më pas edhe Sedorf përmenden si përforcime të Juventusit. Duket që Pirlo i dëshiron të gjithë në skuadër. Mua më kërkojnë vetëm arabët!”, ishte batuta e futbollistit italian.
Më pas ai ka folur edhe për situatën që po kalon në skuadrën kuqezi, e cila rimorri kreun e klasifikimit në Serinë A falë fitores së rëndësishme 1-0 ndaj Kievos në transfertë.
“Kur ke shumë kohë në një skuadër si Milan ku ke fituar shumë por edhe ke marrë shumë goditje, nuk ka nevojë për shumë fjalë në momente të vështira. Çdo vit, klubi ndërton skuadrën për të fituar dhe ne u inatosëm kur pamë se na kaloi Juventusi. Por të gjithë janë të qetë dhe kur skuadra është e tillë, të gjithë luajnë për të gjithë”, ishin fjalët e Gatuzos pas përfundimit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)