Xhenaro Gatuzo ka bërë të qartë se do të luajë falas për Milanin kur të rikthehet përsëri në fushën e lojës pas një dëmtimi serioz në sy.
Mesfushori nuk ka luajtur që nga 9 shtatori, kur në ndeshjen e hapjes të Serisë A, u përplas me shokun e skuadrës, Alesandro Nesta. Fillimisht mendohej se kishte marrë vetëm një traumë, por riaftësimi i lojtarit kaloi mes peripecish të ndryshme, pasi diagnoza e parë ishte e gabuar dhe ai kaloi 3 muaj duke u kuruar për diçka që nuk e kishte.
Kontrata e 34-vjeçarit përfundon në mbyllje të këtij sezoni, por ai i ka idetë e qarta se do të vazhdojë të luajë te Milani. “Unë jam gati të luaj edhe falas. Ia kam thënë edhe Adriano Galianit që nuk është një çështje parash, pasi unë thjesht dua të kthehem të bëj atë që dua më shumë”, deklaroi mesfushori.
Gatuzo ka qenë pjesë e Milanit që nga vitit 1999 ndërsa ka fituar thuajse gjithçka në karrierën e tij, përfshirë një Kupë Bote me kombëtaren e Italisë në vitin 2006.
“Unë jetoj me futbollin, jam 34 vjeç por as që më shkon ndër mend të dal në pension”, ishin fjalët e tij (LajmeShqip.com)