Braziliani i Realit uron ish-shokët e tij nga Madridi. Berluskoni premton “dhurata” nëse fitohet edhe Kupa.
Mes qindra mesazheve të marra gjatë natës, administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, është prekur shumë nga mesazhi i Kakasë, tashmë tek Reali i Madridit.
“Doktor, urime! Kampionët e Italisë jemi ne.” Shumë pak fjalë, por që kanë ndikuar shumë tek drejtuesi kuqezi: “Ditën që e kemi shitur, kam filluar të qaj.”
“Do të bëja gjithçka për Kakanë”.
Galiani ka marrë një telefonatë urimi nga ana e presidentit të Interit, Masimo Morati. Nuk ka mbaruar ende festa për titullin e 18-të të Milanit, por administratori i kampionëve të rinj të Italisë, Adriano Galiani, mendon që tani për përforcimet e sezonit të ardhshëm.
Ardhja e anësorit Taiwo, duket se mbetet prioritet, të paktën duke iu referuar deklaratave të lëshuara nga Galiani: “Do të mundohemi të marrim Taiwon, edhe nëse nuk arrin të marrë pasaportën e komunitarit.” Për Ganso, në fakt, rruga është bërë më e vështirë, siç e konfirmon edhe vetë drejtuesi kuqezi, Ganso? Duhet akoma të formulojmë ofertën, tashmë në Brazil janë pasuruar dhe vështirë të shesin lojtarë.”
Fantazisti brazilian është në qendër të një derbi në merkato, mes Milanit dhe Interit, por kostoja e kartonit të tij duket penguese, të paktën 30 milionë euro. Ndërkohë, padroni Berluskoni, kërkon të kthehet të fitojë edhe në arenën evropiane.
“Më në fund arritëm të sjellim sërish në shtëpi një titull, na është dashur një sforco e madhe, por jemi kompensuar. Skuadra është e pajisur mirë, por shpresoj të sjell ndonjë përforcim për sezonin e ardhshëm. Alegri ka qenë shumë i zoti në zgjedhjet e tij, mbi të gjitha në periudhën kur kemi pasur shumë dëmtime.
Sido që ta themi, ky është demonstrim i asaj që në futboll, për të fituar duhet të shpenzosh shumë dhe të bësh zgjedhje të zgjuara. Tashmë jam i siguritë, vitin tjetër mund të bëjmë mirë edhe në Evropë. Do të më pëlqente të fitonim edhe Kupën e Italisë.
Nëse Alegri do t’ia dalë, do të ketë ndonjë dhuratë të mirë në merkato. Cristiano Ronaldo? Është shumë e vështirë, nuk besoj se Reali do ta largojë.