Federata angleze e Futbollit vazhdon të bëjë gafa të çuditshme duke i krijuar më tepër probleme vetes në këtë periudhë shumë të vështirë për kombëtaren.
Emërimi i Stjuart Pirs si trajner i përkohshëm i kombëtares angleze, ne pamje të parë është dukur një zgjedhje e mirë. Por më pas, mediat kanë kujtuar se ky i fundit ka qenë protagonist i një episodi racizmi kur ishte futbollist, ashtu siç akuzohet aktualisht Xhon Terri, që shkaktoi edhe largimin e Fabio Kapelos nga stoli i skuadrës.
Në vitin 1994, Pirs, i cili në atë periudhë luante për Notingam Forest, lëshoi fyerje racore ndaj Pol Ins të Mançester Junajtid, ndërsa të dy ishin futbollistë të kombëtares angleze. Ngjarja bëri bujë në atë periudhë ndërsa nxiti edhe reagimin e shoqatës së futbollistëve.
Presidenti i atëhershëm i Federatës Angleze, Gordon Teilor, e konfirmoi ngjarjen ndërsa theksoi se Pirs do të kërkonte falje publike.
Drejtuesit e Federatës Angleze kanë refuzuar të komentojnë këtë çështje gjatë natës së mbrëmshme, ndonëse gjithçka që ndodhi gjatë javës së fundit ishte “për luftën e ashpër kundër racizmit në futboll”. (LajmeShqip.com)