Kriza financiare në Francë pritet të godasë rëndë edhe futbollin, sidomos milionerët e këtij sporti. Këtë e ka bërë të ditur kandidati socialist për presidencën në këtë vend, Fransua Holand, i cili nuk ka gurruar të sulmojë drejtpërdrejt trajnerin italian Karlo Ançeloti.
“Kam mësuar se Ançeloti fiton 6 milion euro në vit. Të paktën të fitojë titullin me PSZH!”, deklaroi ai për “L’Equipe”. Më pas, ai ka treguar se në këtë periudhë krize, do të rriteshin taksat deri në 75% për të gjithë ata që përfitojnë mbi 1 milion euro në vit, edhe pse kjo do të largonte përfundimisht lojtarët më të mirë nga Franca.
“Iniciativa ime përfshin më shumë se 3 mijë persona. Kjo është një sforco që u kërkohet të gjithë francezëve dhe ata duhet të jenë shembullorë për të ndihmuar vendin. Kështu largohen futbollistët e mirë? Po ata po ikin gjithsesi! Ka shumë vite që lojtarët më të mirë largohen nga Franca për të luajtur jashtë”, tregoi Holand.
Ndërkohë, Ançeloti duket se ka marrë seriozisht në konsideratë idenë e ndërrimit të ambientit pas deklaratës së kandidatit Holandë, ndërsa ka treguar se do të ishte gatshëm të kthehej në Itali, për të drejtuar kombëtaren e këtij vendi.
“A do të më pëlqente të drejtoja Italinë? Po, është një punë krejtësisht ndryshe të drejtosh kombëtaren, por mund të jetë një eksperiencë tjetër. Por e ardhmja ime nuk do të ndikohet nga fitorja apo jo në kampionat”, ka siguruar trajneri italian. (LajmeShqip.com)