Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel La Gret, duket se ka vendosur që t’i japë lamtumirën trajnerit Loren Blank pas përfundimit të Euro 2012, ndërsa ka venë në majën e listës së prioriteteve emrin e Arsen Venger.
Kontrata e Blank përfundon pas mbylljes së turneut dhe ish-trajneri i Bordo ka bërë të qartë se do të dëshironte të dinte cila do të ishte e ardhmja e tij para pjesëmarrjes në aktivitetin që zhvillohet këtë verë në Poloni dhe Ukrainë.
Megjithatë, sipas një burimi të “Le JDD”, La Gret ka vendosur tashmë që të mos i ofrojë një kontratë të re trajnerit dhe ka përzgjedhur teknikun e Arsenalit si personin e duhur për të marrë këtë detyrë të rëndësishme.
Gazeta franceze bën të ditur se vendimi i La Gret ka ardhur pasi ai është shqetësuar nga pavarësia e Blank ashtu si edhe numri i madh i stafit të tij, që paguhet shumë më tepër se në çdo kombëtare evropiane.
Për më tepër, ai mendon se Blank po ndihmon në mënyrë aspak etike menaxherin e tij Zhan-Pierr Bern, pasi kohët e fundit ka afruar në kombëtare kryesisht lojtarë që menaxhohen nga ky i fundit. (LajmeShqip.com)