Roberto Di Mateo ka qenë padyshim një nga personat më të lumtur në “Stemford Brixh” pas përfundimit të ndeshjes mes Çelsit dhe Barcelonës ku skuadra që ia drejton mori një fitore të rëndësishme 1-0.
Sipas tij, ky është rezultati i një paraqitje të jashtëzakonshme të ekipit që ka zbatuar me përpikmëri detyrat për të realizuar objektivin që i ishte vënë ekipit në këtë sfidë.
“Ky është rezultati perfekt për ne, të shënosh një gol dhe të mos pësosh prej tyre na lejon që të shkojmë në ndeshjen e kthimit me një avantazh të vogël. Jemi mbrojtur mirë pa lëshuar hapësira. Kundër tyre duhet edhe pak fat. Por në “Kamp Nou” nuk do të luajmë për barazim, do të mundohemi të shfrytëzojmë të gjitha rastet që na shfaqen”.
Megjithatë, ai është i ndërgjegjshëm se kjo sfidë nuk është e vendosur ende, pasi ekipi është vetëm në gjysmën e rrugës.
“Jemi vetëm në pushimin e një ndeshje që zgjat 180 minuta. Dëshironim të kufizonim lojën e tyre por nuk mendoj se merita është vetëm e mbrojtjes, ajo është e të gjithë ekipit që aplikoi më së miri rreshtimet e duhura”.
“Në “Kamp Nou” do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, po mendoj se shanset e të dy skuadrave për të shkuar në finale janë 50%-50%. E njohim vlerën e Barcelonës dhe e dinim që do të na duhej të kishim shumë durim për të pritur momentin e duhur për t’i goditur. Tamam ashtu siç ndodhi”, ishte komenti i trajnerit i cili më pas ka deklaruar se nuk mendon për një rinovim të mundshëm, por vetëm si të mbyllë sa më mirë sezonin e bluve. (LajmeShqip.com)