Ferrari “e shëmtuar” duket se ka filluar të pëlqehet, ndoshta për faktin se ka treguar se është e shpejtë, po aq sa rivalët e kësaj skuderie në kampionatin e Formula 1. Fernando Alonso i ka mbyllur testet e para sezonale në vendin e parë, duke lënë pas dy pilotët me të cilët do të luftojë për titullin kampion këtë sezon, Vetel e Hamilton.
Alonso ka regjistruar kohën 1.18.877 me F2012, ndërsa ata që janë renditur pas tij kanë patur më shumë se gjysmë sekonde diferencë. Ndaj spanjolli duket optimist, duke bërë krahasimet edhe me sezonin e kaluar.
“Është normale të ketë probleme se është makinë e re. Por jam ndjerë mirë menjëherë me gomat, gjë që nuk ndodhte në sezonin e kaluar. Kjo është një makinë e re dhe është e vështirë të kuptosh menjëherë gjithçka në perfeksion”.
“Ka ende për të bërë, edhe pse kanë qenë katër ditë të rëndësishme për të kuptuar makinën. Erdhëm me një ide tjetër dhe sot mund të themi se mendimet tona për makinën kanë ndryshuar plotësisht. Mund të them se njohim 20% të makinës”.
“Fakti që jemi të parët me gomat e buta nuk duhet të na kënaqë, pasi me gomat e forta jemi ende larg. Ndaj presim me padurim testet e tjera për t’u përmirësuar”, përfundoi Alonso. (LajmeShqip.com)