Flamengo ka njoftuar shkarkimin e trajnerit Vanderlei Luksemburgo, ndonëse ai arriti të kualifikonte skuadrën në fazën e grupeve të Kupës Libertadores. Ish-trajneri i Realit të Madridit dhe kombëtares braziliane, morri drejtimin e skuadrës në tetorin e vitit 2008, kur ajo ishte në krizë dhe rrezikonte rënien nga kategoria.
Falë eksperiencës së tij, por edhe afrimit të Ronaldinjos, ekipi u ngjit në mesin e tabelës, por nuk arriti të fitonte kampionati në sezonin pasardhës. Vetë Luksemburgo kishte deklaruar se do të vazhdonte të punonte pasi drejtuesit nuk kishin arsye për ta shkarkuar. Por këta të fundit kanë preferuar të ruajnë marrëdhëniet me Ronadinjon, i cili kishte patur një konflikt të hapur me teknikun.
“Vendimi u mor pasi folëm me lojtarët dhe tifozët, të cilët ishin të pakënaqur ndonëse u kualifikuan”, deklaroi presidentja e skuadrës Patricia Amorim. Sipas mediave braziliane, Ronaldinjo ishte shkaktari kryesor i shkarkimit, pasi ai kishte bërë të qartë se nuk dëshironte të punonte më me Luksemburgon, duke kërcënuar largimin.
Shkak i mosmarrëveshjeve mes të dyve u bë jeta e natës e brazilianit, ndërsa trajneri ishte protagonist i një episodi të veçantë pak ditë më parë. Ai rrinte zgjuar duke kontrolluar kamerat e sigurisë së hotelit për të zbuluar nëse Ronaldinjo takohej me femra gjatë netëve të grumbullimit. (LajmeShqip.com)