Luis Figo ka përshëndetur trajnerin e Interit, Andrea Stramaçioni si dhe presidentin e kësaj skuadre, Masimo Morati, për punën që kanë bërë duke mundësuar që sezoni zhgënjyes i Interit të ketë një fund të lumtur.
Zikaltërit vuajtën nën drejtimin e Gasperinit dhe Ranierit, por nën drejtimin e trajnerit të ekipit të të rinjve kanë gjetur veten dhe janë plotësisht në luftë për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
“Mendoj se Stramaçioni ka cilësitë që nevojiten për të drejtuar skuadrën. Në futboll nuk ka rëndësi mosha, e rëndësishme është të jesh i përgatitur për detyrën që të vihet para dhe ai po tregohet i suksesshëm. Do të jetë gjithmonë një kënaqësi për mua të them se kam patur si president Moratin dhe unë mund ta radhis atë mes miqve të mi. Për mua ai mbetet numri një”, deklaroi ish-futbollisti portugez.
Më pas, ai tregoi se sa i çuditur ishte nga ringjallja e Interit që në fillimin e muajit prill.
“Kjo është e bukura e futbollit, mund të dukesh jashtë loje por mund ta mbyllësh gjithçka mirë, ndërsa në raste të tjera ndodh e kundërta. Kemi humbur kaq shumë ndeshje në këtë sezon, por tani na jepet mundësia që të luftojmë për vendin e tretë në renditje dhe kjo shërben si një stimul”, tha Figo që aktualisht kryen detyrën e ambasadorit për marrëdhëniet me jashtë te Interi. (LajmeShqip.com)