Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, i është përgjigjur të gjitha kritikave mbi koston e lartë të zhvillimit të Kampionatit Botëror në Brazil duke premtuar t’i japë këtij vendi një pjesë të fitimeve, për një paketë prej 100 milion dollarësh.
Një shumë e njëjtë iu dha Afrikës së Jugut për të ndihmuar në projektet e zhvillimit pas përfundimit të Botërorit të kaluar, por deri dje, askush nuk priste që një “fond social” të krijohet edhe për aktivitetin në Brazil.
“Kemi lënë në Afrikën e Jugut një fond të veçantë prej 100 milion dollarësh, që kontrollohet nga qeveria e këtij vendi, FIFA dhe Federata e Futbollit atje. Jam i sigurt që një shumë e tillë, ndoshta edhe më e lartë, do të mund të caktohet edhe këtu. FIFA nuk ka si qëllim që të përfitojë nga vendi organizator, por të dhurojë diçka për këtë vend”, ishte deklarata e Blater, i cili është munduar të shuajë polemikat e lindura gjatë Kupës së Konfederatave me protestuesit që akuzojnë qeverinë se mendon më shumë për futbollin sesa për jetët e njerëzve.
Qeveria braziliane ka planifikuar një shpenzim të përgjithshëm prej 13.3 miliard dollarësh për stadiume, aeroporte dhe projekte të tjera infrastrukturore, me të paktën 3.5 miliard dollarë që janë investuar vetëm në stadiumet ku do të luhen ndeshjet. (LajmeShqip.com)