Reshjet e dëborës dhe kushtet e vështira atmosferike në Itali kanë anuluar prezantimin e modelit të ri të Ferrarit me të cilin skuderia italiane do të marrë pjesë në botërorin e Formula 1.
Ferrari kishte bërë gjithçka gati për ceremoninë e prezantimin në pistën e Fioranos për të premten në mëngjes. Por gjendja atmosferikë në zonë, ku dëbora vazhdon të bjerë pa pushim prej dy ditësh, ka sjellë edhe anulimin e ceremonisë duke preferuar që prezantimi të bëhet nëpërmjet faqes së internetit ku do të publikohen fotot e makinës së re.
Në Maranelo, ku është edhe fabrika e prodhimit të makinës italiane, situata ka qenë mjaft e vështirë në ditët e fundit, pasi akulli ka bërë të rrezikshme rrugën malore që të çon në këtë zonë. Si rrjedhojë është preferuar që t’i jepet prioritet sigurisë së njerëzve për të evituar ndonjë tragjedi.
Për të parë nga afër Ferrarin e ri do të duhet të pritet data 7 shkurt, kur makina do të zbresë në pistën e “Herez de la Frontera” për testet e para zyrtare të sezonit. (LajmeShqip.com)