Sër Aleks Ferguson ka paralajmëruar Mançester Sitin se lufta për titullin kampion nuk ka mbaruar pasi ata do të kenë përpara një sfidë shumë të vështirë kundër Njukasëll. Siti ka një avantazh prej 8 golash ndaj Mançester Junajtid, ndërsa janë me pikë të barabarta në kreun e renditjes së kampionatit kur kanë mbetur vetëm dy ndeshje deri në fundin e tij.
Por pengesa më madhe në rrugën e tyre është të kalojnë Njukasëll, një prej skuadrave më në formë të kampionatit që vetëm një natë më parë mund Çelsin në fushën e këtyre të fundit me rezultatin 2-0.
“Njukasëll është në luftë për pozicionin mes katër ekipeve më të mira. Ata kanë një shans real për ta arritur këtë pozicion dhe kjo e bën një mbyllje entuziazmuese të sezonit”.
“Sfida e Sitit është të fitojë në fushën e Njukasëll, po këta po luajnë shumë mirë aktualisht. Ata u mundën 4-0 nga Uigan, por arritën të merrnin veten duke fituar 2-0 në fushën e Çelsit, forma e tyre është e mirë dhe nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për Sitin”, ka paralajmëruar Ferguson.
Por ky i fundit ka bërë të qartë se sido që të shkojnë gjërat, Mançester Junajtid duhet të mendojë që të fitojë sfidën me Suonsin, një skuadër që ka treguar cilësi të lartë në këtë sezon si debutuese në elitën e futbollit anglez.
“Mënyra se si ka luajtur futboll Suonsi në këtë sezon është fantastike. Ata duan që të luajnë futboll dhe kjo është arsyeja pse kanë patur një sezon fantastik”, tha trajneri i cili pranoi se kishte vëzhguar kundërshtarët e radhës në ndeshjen e javës së kaluar. (LajmeShqip.com)