Aleks Ferguson e ka cilësuar uruguaianin Luis Suarez si “një fatkeqësi për Klubin e Futbollit Liverpul”, duke shtuar se ai nuk duhej të lejohej të luante më me këtë skuadër pas refuzimit të shtrëngimit të duarve me Patris Evra në fillimin e ndeshjes në “Old Traford”.
Kapiteni i “djajve të kuq” i zgjati dorën uruguaianit, i cili kthehej nga dënimi prej 8 ndeshjesh për fyerje raciste ndaj mbrojtësit, por ai e injoroi francezin dhe kaloi direkt te portieri De Gea.
Evra nuk e pranoi këtë gjest dhe u përpoq të kapte nga krahu Suarezin për të plotësuar formalitetin, por sulmuesi vazhdoi i pashqetësuar. Si rrjedhojë, ishte Rio Ferdinand që refuzoi më pas të shtrëngonte dorën e uruguaianit.
Sipas mediave angleze, tensioni ka vazhduar në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjeve ku lojtarë të të dy skuadrave janë përplasur njëri me tjetrin si gjatë pushimit të ndeshjes, ashtu edhe në fundin e saj.
Si rrjedhojë, Aleks Ferguson, dënoi rëndë gjestin e Suarez. “Nuk mund ta besoja, thjesht nuk mund ta besoja”.
“Ai është një fatkeqësi për Klubin e Futbollit të Liverpulit, ai lojtar nuk duhet të lejohet të luajë më për Liverpulin”.
“Me historinë që ka ky klub, ai bën një gjest të tillë, në një situatë si e sotmja ku mund të shpërthente një revoltë. Unë jam zhgënjyer shumë nga ai, sepse bëri diçka të tmerrshme”, deklaroi trajneri i Mançester Junajtid.
Të shumta kanë qenë edhe komentet në “Twitter” nga futbollistë të ndryshëm, ku thuajse të gjithë kanë akuzuar Suarez për veprim josportiv dhe kanë sugjeruar që ai meriton një tjetër dënim. (LajmeShqip.com)