Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, ka kritikuar komentet e fundit të Roberto Mançinit rreth pamundësisë së skuadrës së tij për të fituar titullin kampion.
“Mendoj se ai ka zgjedhur kohën e gabuar për ta thënë një gjë të tillë, kur kanë mbetur vetëm 5 ndeshje deri në përfundimin e sezoni. Kampionati anglez këtë vit është shumë tërheqës. Por eksperienca jonë do të na ndihmojë dhe ndeshja e të dielës është ajo tek e cila duhet të përqendrohemi”, tha ai.
Trajneri i Junajtid mendon se skuadra e tij do ta marrë veten pas humbjes tronditëse ndaj Uiganit në mesjavë. Diferenca me Sitin u shkurtua në 5 pikë, por skocezi ka treguar se ekipi i tij është mësuar me një situatë të tillë.
“Pjesa më fantastike e këtij klubi është se ne e marrim veten, ndaj ne duhet ta marrim veten pas asaj që ndodhi të mërkurën. Në pjesën e dytë të sezonit humben pikë, e kemi bërë në pjesën më të madhe të viteve. Ka patur ndonjë vit të veçantë kur kemi patur shumë ndeshje radhazi pa humbje, por ka patur vite edhe si ai kur u mundëm 4-1 nga Liverpuli e pastaj fituam titullin”, deklaroi trajneri skocez. (LajmeShqip.com)