Mançester Junajtid ka hedhur në erë një diferencë prej 8 pikësh në kreun e renditjes së kampionatit dhe tani është vetëm 3 pikë para rivalëve të Mançester Sitit, në fushën e të cilëve do të luajë të hënën në derbin më të shumëpritur të kohëve të fundit. Por për Aleks Ferguson kjo nuk është një gjë e re në drejtimin e “djajve të kuq”.
“Unë jam një mazokist i konfirmuar. Prandaj jam te kjo skuadër prej 26 vitesh”, ishte batuta e Ferguson.
“Nuk mund të them se e presim me padurim një ndeshje të tillë, por jam gati për këtë sfidë. I gjithë ekipi është i përgatitur ndaj besoj se gjërat do të shkojnë në rregull. Që në momentin kur u caktua kalendari në fillimin e sezonit, të gjithë e mendonin se gjërat do të përcaktoheshin nga kjo ndeshje. Ndoshta ishte e paevitueshme”.
“Por në kontekstin e historisë, ne e pritnim një gjë të tillë pasi gjithmonë ia vështirësojmë punët vetes. Tifozët tanë të gjorë i janë nënshtruar kësaj drame prej shumë vitesh me radhë”.
Sipas trajnerit të Mançester Junajtid, skuadra e tij duhet të mësohet me idenë që rivali i tyre nuk do të jetë më Liverpuli, po Mançester Siti, pasi ka forcën ekonomike për t’u kthyer në faktor të rëndësishëm në Angli.
“Mbështetja financiare që ka Siti do të thotë se do të luajmë kundër tyre në shumë ndeshje të mëdha në të ardhmen. Nëse do të luajmë për titull kampion, ndeshjet ndaj tyre do të marrin rëndësi si ato kundër Liverpulit”, deklaroi Ferguson. (LajmeShqip.com)