Gazeta britanike “Daily Mail” ka bërë të ditur se Federata Angleze do të fillojë gjatë këtyre dy javëve bisedimet zyrtare me trajnerët kandidatë për të drejtuar përfaqësuesen e këtij vendi.
Ndonëse Herri Redknap është favorit kryesor për të siguruar këtë detyrë, drejtuesit e FA kanë vendosur që të kontaktojnë dhe trajnerë të tjerë, duke filluar nga Roi Hodgson, në mënyrë që të kenë gjithmonë një plan rezervë.
Sipas asaj që mësohet nga kjo gazetë, FA nuk ka ndër mend të harxhojë shuma marramendëse për trajnerin e ri dhe ka bërë të qartë se kushdo që të zgjidhet në këtë detyrë, nuk do të ketë një rrogë të përafërt me 6 milion paund në vit që fitonte Fabio Kapelo.
Sipas rregullores, FA duhet të kontaktojë më parë me klubin ku është aktualisht trajneri për të njoftuar zyrtarisht me shkrim për interesimin, e më pas të realizojë takimin me teknikun në fjalë.
Takimi mes FA dhe Herri Redknap pritet të zhvillohet me 15 prill, pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës FA që Totenhem luan në “Uembli”. Ata do të takojnë edhe shefin e klubit të Totenhem, Daniel Levi, pasi për të siguruar shërbimet e Redknap, duhet të paguajnë klauzolën për prishjen e kontratës së tij ekzistuese me këtë klub.
Mbetet për t’u parë se kur do të realizohet takimi i mundshëm me Roi Hodgson, i cili është një tjetër kandidat serioz dhe që cilësohet si një prej takticienëve më të mirë në qarkullim në Angli. (LajmeShqip.com)