Sebastian Vetel është kthyer përsëri në kryesimin e kampionatit botëror të Formula 1 falë një fitoreje dominuese në Çmimin e Madh të Koresë së Jugut. Fitorja e garës së tretë radhazi erdhi pas një paraqitje të shkëlqyer të skuadrës Red Bull, e cila rriti të nxirrte në vendin e dytë shokun e tij të skuadrës, Mark Ueber.
Ueber kishte fituar pole-position në provat e djeshme, por e humbi menjëherë vendin e parë që në nisje ndaj shokut të skuadrës, që me kalimin e xhirove arriti të krijonte një diferencë deri në 10 sekonda, para se të mendonte të ulte ritmin për të kursyer gomat deri në finish.
Fernando Alonso arriti të merrte vendin e tretë me një xhiro të parë spektakolare, por nuk arriti asnjëherë të rrezikonte pozicionin e dy makinave Red Bull. Ai thjesht qëndroi në distancë me kryesuesit e garës dhe u desh të kënaqej me këtë vend të tretë në podium.
Skuadra MekLaren ishte ajo që kaloi një ditë shumë të keqe, me Xhenson Baton që braktisi garën në kthesën e parë, pasi u godit nga Kobajashi, i cili njëkohësisht goditi edhe Niko Rosberg.
Ndërsa Luis Hemilton ishte i katërti për pjesën më të madhe të garës, para se të humbte ritmin e tij me setin e dytë të gomave. Ai u kalua nga Felipe Masa dhe Kimi Raikonen dhe ndryshoi strategji duke bërë një ndërrim gomash tjetër, që e çoi në vendin e 10-të.
Në këtë mënyrë, Felipe Masa arriti të siguronte vendin e katërt në garë, ndërsa skuadra e urdhëroi të qëndronte pas Alonsos, edhe pse braziliani dukej se ishte më i shpejtë se spanjolli.
Raikonen me Lotus mori vendin e 5-të, para Niko Hulkenberg me makinën Force India, i cili dhuroi një nga parakalimet më spektakolare në pistë kur kaloi njëkohësisht si Hemilton, ashtu edhe Groszhan që po duelonin. Francezi i Lotus përfundoi garën në vendin e 7-të, duke lënë pas Zhan Erik Vernje dhe Daniel Riçiardo me Toro Roso. (LajmeShqip.com)
Renditja e botërorit për pilotë:
215 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
209 Fernando Alonso (Ferrari)
167 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
153 Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
152 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
131 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
93 Niko Rosberg (Mercedes)
88 Roman Groszhan (Lotus-Reno)
81 Felipe Masa (Ferrari)
66 Serxho Perez (Sauber-Ferrari)