Testet sezonale të Formula 1 që po zhvillohen në pistën e Ferrarit në Muxhelo kanë ndarë në dysh pjesëmarrësit, mes atyre që pëlqejnë të bëjnë xhiro në cirkuitin e shpejtë italian dhe atyre që mendojnë se ajo nuk ka kushtet e mjaftueshme të sigurisë.
Shkak është bërë aksidenti i Fernando Alonsos, i cili ka dalë nga pista me forcë dhe është përplasur me barrierat në kthesën Korrentiao. Fatmirësisht, Alonso ka shpëtuar pa dëmtime por makina është prishur dhe mekanikët e Ferrarit do të jenë të detyruar të bëjnë modifikime në të për ta patur gati gjatë ditës së nesërme.
I pari që ka reaguar negativisht ishte Vitali Petrov, i cili ka kritikuar vendimin e skuadrave për të testuar në një pistë të rrezikshme për makinat e garave. “Mendoj se nuk duhej të kishim ardhur këtu”, tha piloti i Katërham. “Kjo pistë nuk është e gjërë dhe e sigurt mjaftueshëm. Nëse humb kontrollin, muret janë afër dhe përplasesh me forcë me barrierat”, tha piloti rus.
Por mendimi i tij nuk ndahet nga shumë prej pilotëve të tjerë. “Bëra sot 10 xhiro rrotull Muxhelos, që është njëlloj si të bësh 1000 xhiro përreth pistës së Abu Dabi përsa i përket kënaqësisë së pilotimit”, ishte komenti i Mark Ueber të Red Bull. (LajmeShqip.com)