Niko Rosberg ka marrë fitoren e parë në karrierë në Formula 1 duke fituar Çmimin e Madh të Kinës në pistën e Shangait, për të thyer hegjemoninë e “emrave të zakonshëm” që zgjaste nga fitorja e Mark Veber në garën e vitit 2009 në Gjermani.
Në një pistë ku ai kishte qenë në kryesim në dy vitet e fundit por pa arritur asnjëherë të ngjitej në majën e podiumit, Rosberg triumfoi në një garë të ethshme, e cila u ndikua nga strategjitë e ndryshueshme për shkak te konsumit të shpejtë të gomave si dhe për shkak se makinat ishin thuajse gjatë gjithë kohës pranë njëra-tjetrës.
Jo vetëm që pilotë në këtë garë ndryshuan mes strategjive të dy apo tre ndalesave për ndryshimin e gomave, por edhe jetëgjatësia e gomave në çdo makinë ishte e ndryshme, duke kushtëzuar kësisoj garën e të gjithëve. Për këtë arsye, fitorja e Rosberg ishte mëse e merituar, pasi strategjia e tij me dy ndërrime ishte më e duhura, duke i dhënë mundësinë që të qëndronte larg telasheve në të cilat u përfshinë pak a shumë të gjithë pilotët e tjerë.
Xhenson Baton me MekLaren përfundoi i dyti dhe ishte kërcënimi më i madh për fitoren e garës. Por shanset e tij për suksesin u shuan pas vonesës në vendosjen e një gome në ndalesën e tij të fundit në bokse. Pas krahëve të tij u rendit Luis Hamilton, për të tretën herë radhazi në shkallën më të ulët të podiumit dhe kryesues aktual i kampionatit.
Të dy pilotët e MekLaren treguan aftësitë e tyre në xhirot e fundit duke kaluar fillimisht Veber e më pas kampionin e botës, Sebastian Vetel, për të konfirmuar se për momentin kanë makinat më të shpejta në dispozicion.
Vetel humbi edhe betejën brenda skuadrës Red Bull, kur u parakalua dy xhiro nga fundi i garës edhe nga Mark Veber, i cili i rrëmbeu vendin e katërt.
Romein Groszhan me Lotus rrëmbeu vendin e 6-të, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Kimi Raikonen, kaloi nga vendi i dytë në të 14-tin pasi gomat e tij lëshuan në mënyrë drastike në xhirot e fundit.
Dyshja e Uilliams, Sena-Maldonado, morrin respektivisht vendin e 7-të dhe të 8-të, ndërsa u ndoqën në vijën e finishit nga Fernando Alonso, i cili shfaqi probleme pas ndërrimit të fundit të gomave dhe doli nga gara për një pozicion më të mirë. I fundit në zonën e pikëve përfundoi japonezi Kobajashi me Sauber.
Zhgënjimi më i madh i ditës ishe përsëri Mikael Shumaher, i cili u detyrua të braktiste garën pas ndërrimit të parë të gomave, sepse një prej mekanikëve nuk i kishte shtrënguar rrotën e përparme. (LajmeShqip.com)
RENDITJA PËR PILOTË
45 Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
43 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
37 Fernando Alonso (Ferrari)
36 Mark Veber (Red Bull-Reno)
28 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
25 Niko Rosberg (Mercedes)
22 Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
16 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
14 Bruno Sena (Uilliams-Reno)
9 Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)
8 Romein Groszhan (Lotus-Reno)
7 Pol di Resta (Force India-Mercedes)
4 Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)
4 Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)
2 Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)
2 Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)
1 Mikael Shumaker (Mercedes)
RENDITJA PËR KONSTRUKTORË
88 MekLaren Mercedes
64 Red Bull-Reno
37 Ferrari
31 Sauber-Ferrari
26 Mercedes
24 Lotus-Reno
18 Uilliams-Reno
9 Force India-Mercedes
6 Toro Roso-Ferrari