Niko Rosberg, Mercedes
“Gjithçka shkoi mirë dhe është një ndjenjë e mrekullueshme. Tani sigurisht që pres me padurim garën që do ta nis nga vendi i parë. Pista po ftohej, temperatura po ulej dhe gomat e prapme filluan të punonin më mirë. Ndërruam konfigurimin para daljes së fundit dhe unë zhvillova xhiron perfekte. Është e qartë se në gara nuk kemi qenë aq të shpejtë sa në kualifikuese por po bëjmë progres. Kjo është një ndjesi e mirë, pasi tregojmë se po bëjmë progres si skuadër”.
Mikael Shumaher, Mercedes
“Nuk mendoja se Niko do të luftonte për pole-position dhe kur pamë atë që bëri ishte një surprizë e madhe për të gjithë ne. Ishte një xhiro fantastike dhe jam i lumtur që ai arriti të marrë pole-position e parë në karrierë. Kjo do të jetë edhe hera e parë që skuadra Mercedes arrin të pushtojë krejtësisht vjen e parë të nisjes gjatë historisë së garës. Mbetet për t’u parë nëse do të ruajmë këtë pozicion në garë, por këtë do ta marrim vesh vetëm nesër. Kemi një problem me konsumin e karburantit dhe degradimin e gomave. Shpresoj që të jetë gara e parë normale dhe të arrij në fundin e saj”.
Luis Hemilton, MekLaren-Mercedes
“Urimet më të mira për Nikon, jam shumë krenar për të. Ne jemi rritur bashkë në gara duke ëndërruar që të garonim në Formula 1. Ishim shokë skuadre në F200 dhe miq para saj. Kam një garë të vështirë me shumë kundërshtarë para por besoj se mund të bëjmë një rezultat të mirë”.
Kamui Kobajashi, Sauber-Ferrari
“Jam shumë i lumtur, skuadra bëri një punë të shkëlqyer. Kemi kohë që themi se duhet përmirësuar paraqitja jonë në kualifikuese dhe mendoj se ky ishte në përmirësim i dukshëm. Do të nisem nga vendi i tretë pasi Hemilton është i penalizuar dhe ky pozicion do të thotë shanse më të mëdha. Por unë nuk jam ëndërrimtar, objektivi ynë është të marrim sa më shumë pikë”.
Fernando Alonso, Ferrari
“Për momentin jemi të gjithë të përqendruar te gara e radhës. Kampionati është objektiv i Ferrarit në çdo vit për shkak të historisë së skuadrës. Por ne nuk jemi budallenj. E dimë që jemi pas të tjerëve dhe që na duhet punë. Një sekondë diferencë është një distancë e madhe dhe rregullimet aerodinamike na japin shpresë se mund të rikuperojmë diçka. Sauber? Ishin ndër më të shpejtët në testet dimërore, ishin ndër më të shpejtët në Australi dhe ndoshta meritonin të fitonin garën në Malajzi”.
Sebastian Vetel, Red Bull
“Është e thjeshtë të gjenden justifikime, por unë isha i lumtur me makinën dje dhe kjo është arsyeja pse mbajta të njëjtin konfigurim. Isha i lumtur me xhirot në kualifikuese. Nuk bëra gabime po nuk isha i shpejtë sa duhej. Kjo është e thjeshtë. Sigurisht që nuk jam i lumtur me pozicionin. E bën më të vështirë, por nuk është e pamundur të bëjmë një garë të mirë”. (LajmeShqip.com)