Sebastian Vetel me Red Bull është ngjitur përsëri në vijën e parë të nisjes pasi ka siguruar pole-positon në Çmimin e Madh të Bahrein të Formula 1. Piloti gjerman është shfaqur si në kohë e tij më të mira, duke rigjetur shpejtësinë që i mungonte dhe duke u shfaqur pretendent për të marrë suksesin e parë të sezonit në garën e ditës së nesërme.
Pas krahëve të tij, u rendit Luis Hemilton me MekLaren, për të konfirmuar se ai është në një formë të mirë dhe kërkon të jetë përsëri në podium. Vendi i tretë në vijën e nisjes i përket Mark Veber, pilotit tjetër të Red Bull, i cili do të niset përkrah Xhenson Baton me MekLarenin tjetër.
Fituesi i Çmimit të Madh të Kinës një javë më parë, Niko Rosberg, do të nisë garën nga vendi i 5-të, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Mikael Shumaher, kishte probleme teknike dhe u eliminua që në fazën e parë të provave zyrtare, duke nisur garën e nesërme nga vendi i 17-të.
Daniel Rikiardo ishte surpriza e provave zyrtare pasi arriti të ngjitë Toro Roso në vendin e 6-të në vijën e nisjes, ndërsa pas tij u renditën Romein Groszhan (Lotus) dhe Serxho Perez (Sauber). Vetëm vendi i 9-të për Fernando Alonson, i cili vendosi që në pjesën e tretë të kualifikueseve të mos zhvillonte asnjë xhiro për të ruajtur gomat, që në këtë pistë kanë treguar se konsumohen në mënyrë të frikshme.
Gjatë provave zyrtare janë shënuar disa ngjarje të çuditshme, të cilat kanë lidhje me atë që po ndodh aktualisht në Bahrein. Fillimisht, faqja zyrtare e Formula 1 në internet ka qenë e bllokuar gjatë provave zyrtare, duke lënë të kuptohet se ky ishte një aluduar tjetër sulm i grupit të piratëve elektronikë “Anonymous”.
Ndërkohë, Berni Ekleston është hakmarrë ndaj Force India që refuzoi të merrte pjesë në provat e lira të pasdites të së premtes për çështje sigurie, pasi kamerat nuk kanë treguar për asnjë sekondë makinat e kësaj skuadre gjatë provave zyrtare, ndonëse Pol Di Resta arriti të siguronte vendin e 10-të dhe Niko Hulkenberg vendin e13-të.
Gjithashtu, nga forcat e opozitë në Bahrein është mësuar se një protestues ka mbetur i vdekur gjatë përplasjeve që ndodhën mes tyre dhe policisë në natën e të premtes pak kilometra larg pistës së Sakhir. (LajmeShqip.com)
ÇMIMI I MADH I BAHREIN, RADHA E NISJES
1. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
2. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
3. Mark Veber (Red Bull-Reno)
4. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
5. Niko Rosberg (Mercedes)
6. Daniel Rikiardo (Toro Roso-Ferrari)
7. Romein Groszhan (Lotus-Reno)
8. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
9. Fernando Alonso (Ferrari)
10. Pol di Resta (Force India-Mercedes)
11. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
12. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)
13. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)
14. Felipe Masa (Ferrari)
15. Bruno Sena (Uilliams-Reno)
16. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)
17. Mikael Shumaker (Mercedes)
18. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)
19. Vitali Petrov (Katerham-Reno)
20. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)
21. Pedro de la Rosa (HRT-Kosuorth)
22. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)
23. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)
24. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)