Princi i Kurorës në Bahrein, Salman bin Hamad bin Isa Al Khalifa ka hedhur poshtë të gjitha zërat për hipotezën e mundshme të anulimit të garës së Formula 1 në këtë fundjavë në vendin e tij.
Pavarësisht shqetësimeve të ndodhura, ai ka bërë të qartë se kjo garë ishte jetike për vendin e tij edhe për fatin se ky shtet po mundohej të kalonte këto trazira, si çdo vend tjetër në botë.
“Mendoj se anulimi i garës thjesht i jep pushtet ekstremistëve. Zhvillimi i kësaj gare na ndihmon ne që po përpiqemi të punojmë për të kaluar këtë ngërç politik, që të gjejmë një urë mes komuniteteve. Kjo garë na lejon të festojmë vendin tonë si të bashkuar, jo si të ndarë”.
“Ju garantoj se çdo problem që mund të ketë ndodhur, apo që mund të ndodhë, nuk ka si objektiv Formula 1 dhe pjesëtarët e kësaj gare. Incidenti me Force India nuk kishte si objektiv ata, por policinë. Pikërisht këtë ekstremizëm po mundohemi të ndalojmë. Nuk duam të fshehim çfarë ndodh, pikërisht për këtë arsye insistojmë që të zhvillohet gara, që t’ju tregojmë njerëzve Bahrein, me të mirat dhe të këqijat e tij, nuk jemi një vend perfekt”, tha ai.
Por ndërkohë, Force India ka braktisur provat e lira të pasdites të së premtes për çështje sigurie, pas incidentit që ndodhi një ditë më parë ku makina me pjesëtarë të ekipit u sulmua me bombë molotov. Ndonëse skuadra lëshoi një deklaratë për shtyp ky thuhej se ky vendim ishte marrë për çështje teknike, një nga drejtuesit e skuadrës, Bob Fernli, konfirmoi për mediat se ishte thjesht çështje sigurie pasi stafi dëshironte të largohej nga pista para se të errësohej.
“Po bëjmë të pamundurën që të sigurojmë të gjithë njerëzit dhe ky është objektivi ynë kryesor për tani. Kemi patur probleme, ndërsa tani po sigurohemi që i gjithë ekipi ta ndjejë veten sa më të sigurt në ambientin ku gjendemi”.
“Nuk besoj se do të ndodhë ndonjë gjë tjetër. Protestat do të vazhdojnë dhe e di që ajo që ndodhi me ne ishte një incident fatkeq, po këto janë gjëra që ndodhin. Kur i ndodh skuadrës tënde, atëherë mundohesh ta trajtosh çështjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo është ajo që po bëjmë ne”, deklaroi Fernli. (LajmeShqip.com)