Çmimi i Madh i Bahrein në Formula 1 është përfshirë përsëri në një situatë të tensionuar pasi grupet rebele kundër qeverisjes kanë bërë të ditur se do të protestojnë për zhvillimin e garës.
Opozita Shiite e Bahreinit ka bërë të ditur se kjo do të jetë java e protestave ditore pro-demokracisë në këtë vend. Ata kanë paralajmëruar për tubime të mëdha por kanë bërë të qartë se nuk do të zhvillohen në afërsi të pistës së Sakhir.
Por shqetësimi më i madh vjen nga fakti se grupimi më ekstremist i quajtur “Revolucioni i 14 shkurtit”, ka bërë thirrje për “tre ditë tërbim” nga 20 me 22 prill, kur zhvillohet edhe gara e Formula 1.
Që sot në këtë vend kanë filluar të vijnë pjesëtarët e parë të stafeve të skuadrave pjesëmarrëse, ndërsa deri tani është raportuar se nuk ka patur probleme për asnjë prej tyre.
Gjithsesi, disa televizione kanë bërë të ditur se nuk do të dërgojnë përfaqësues për të transmetuar garën në shenjë proteste ndaj “indiferentizmit” që F1 u ka bërë problemeve të shumta që po vuan populli i Bahrein. (LajmeShqip.com)