Me mbërritjen e thuajse të gjithë ekipeve në Bahrein në orët e para të së martës, kanë filluar të regjistrohen edhe incidentet e para në Manama, kryeqytetin e këtij emirati që gjendet rreth 30 kilometra larg pistës së Sakhir, ku do të zhvillohet në fundjavë gara e Formula 1.
Megjithëse shefi i sigurisë së kësaj piste, Zajed Al Zajani, insistoi edhe një herë se siguria ishte e garantuar dhe gjithçka ishte e qetë, skuadra HRT ka raportuar të kundërtën. Anëtarë të këtij ekipi nuk kanë mundur të shkojnë në pistën e Sakhir për të ndërtuar atje bazën e ekipit, ndërsa janë bllokuar për shumë kohë në hotel “Elite Crystal”. Shkak janë bërë protestat masive që kanë shpërthyer në rrugët e Manama dhe para hotelit të tyre, aq sa policia është detyruar të shpërndajë turmën duke përdorur gaz lotsjellës.
FIA konfirmoi që të premten se gara do të vazhdonte rregullisht pavarësisht kërkesave të aktivistëve për ndërprerjen e saj apo përballjeve mes policisë dhe protestuesve të opozitës.
Kjo garë është një investim shumë i rëndësishëm i këtij emirati dhe organizatorët kanë bërë të qartë se vetëm për pritjen e personave deri tani janë shpenzuar 500 mijë dollarë. “Ne kemi nevojë për këtë si shtet, e meritojmë. Mendoj se kemi kaluar incidentet më të mëdha dhe kjo garë do të na ndihmojë të kthejmë normalitetin në vendin tonë”, ishin fjalët e shefit të sigurisë së pistës së Sakhir. (LajmeShqip.com)