Fernando Alonso ka pohuar se nuk pret asgjë tjetër përveç një fundjave shumë të vështirë ku Ferrari do të bëjë maksimumin për të kufizuar dëmet në krahasim me kundërshtarët gjatë Çmimit të Madh të Bahrein.
Spanjolli përfundoi vetëm i 9-ti në garën e fundjavës së shkuar në Kinë, ku makina e tij në pistë të tharë nuk ishte aq e shpejtë sa në kushtet me shi të Malajzisë.
“Jam i ndërgjegjshëm që në Sakhir do të na presë një tjetër fundjavë e vështirë, që është normale për shkak të karakteristikave të pistës, por edhe sepse makina është e njëjta me atë që kishim në Shangai”.
“Skuadra dhe unë kemi një histori shumë të mirë në Bahrein, pasi ekipi ka 4 fitore ndërsa unë kam 3, përfshirë të parën si pilot i Ferrarit. Por e kaluara nuk vlen në këtë sport dhe kjo fundjavë do të shërbejë vetëm për të kufizuar dëmin”.
Alonso është i ndërgjegjshëm që duke qenë pilot i Ferrarit ka “detyrimin” për ta cilësuar veten pretendent për titull, por tregon se ka ende shumë punë për të bërë që të arrihen rivalët të cilët kanë një marsh më shumë në këtë fillim sezoni.
“Kampionati është i hapur dhe ka shumë skuadra që synojnë fitoren, por ne duhet të hedhim hapin para që të bëhemi më konkurrues nëse aspirojmë që në fund të shpallemi kampionë”, tha ai. (LajmeShqip.com)