Trofeu i dytë për nga rëndësia në futbollin evropian, Liga e Evropës, do të zhvillojë mbrëmjen e sotme 4 takimet e para të fazës çerekfinale.
Ajo që bie në sy në 4 takimet e sotme është barazpesha mes të 8 ekipeve që plotësojnë 4 çiftet. Në garë janë tre skuadra portugeze, dy holandeze, një ruse, një ukrainase dhe një spanjolle.
Përballja mes Benfikës dhe PSV Eindhoven shihet si më interesantja, ku portugezët, pasi humbën sfidën për titullin kampion të Portugalisë ndaj Portos, shohin tek Liga e Evropës mundësinë e vetme për të përfunduar me sukses sezonin. Nga ana tjetër PSV, që është ende në garë për ttiullin kampion në Holandë, ndaj Tuentes, do të përpiqet të marrë të paktën një barazim në Portugali.
Nga ana tjetër sfidë mjaft e “zjarrtë” pritet të jetë edhe ajo mes spanjollëve të Vilareal, që kanë eliminuar skuadra si Napoli e Leverkusen në këtë Ligë Evropiane dhe holandezëve të Tuentes, që vijnë në Ligën Evropiane pasi zhvilluan një paraqitje të mirë në Champions dhe pasi kanë eliminuar dy ekipet ruse, Rubin Kazan dhe Zenit St Petersburg.
Ndërkohë Rusia përfaqësohet në këto çerekfinale me Spartakun e Moskës, e cila ka një detyrë mjaft të vështirë në “Dragao” ndaj portugezëve të Portos, të cilët sapo kanë festuar tiullin kampion në Portugali.
Mbyll tablonë e 4 përballjeve çerekfinale sfida mes ukrainasve të Dinamos së Kievit dhe portugezëve të Bragës. Dinamo e udhëhequr nga sulmuesi Andriy Shevchenko do të tentojë të arrijë gjysëmfinalet pasi eliminoi në fazën e kaluar anglezët e Manchester City. Ndërsa portugezët arritën të eliminonin Liverpulin, duke fituar besim se mund të bëjnë mrekullinë në këtë sezon të Ligës së Evropës.