Eshli Kol është bindur se Çelsi e di se si duhet ndalur Barcelona në ndeshjen mes dy skuadrave për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Londinezët nuk janë favoritët për të kaluar në finale, duke parë edhe statusin e “ekipit më të mirë në botë” që mbajnë aktualisht katalanasit.
Por Kol është i qetë pasi i beson statistikave të cilat thonë se në 10 ndeshjet mes klubeve, të dy palët kanë nga 3 fitore. “Kush kalon në finale? Sigurisht Çelsi! Shpresoj që të luajmë kundër Real Madrid”.
“Ne e dimë kush është Barcelona dhe besojmë në vetvete se jemi të mirë mjaftueshëm për të kaluar turin. Megjithëse ata nuk shqetësohen nga ne, mbetemi skuadra angleze që i ka krijuar më tepër probleme. Ne jemi një skuadër e mirë, nuk heqim kurrë dorë. Me skuadra si Barcelona, ne dimë se si mund të ndalen. Si mund të ndodhë? Nëse lojtarët si Mesi nuk zbresin në fushë ne kemi një shans shumë të madh”, tha me humor mbrojtësi i përfaqësueses angleze.
Të gjithë e kujtojnë ndeshjen e tre viteve më parë kur Çelsi u eliminua pas golit të Andres Iniesta në kohën shtesë të takimit, një arsye më shumë për të qenë të vëmendshëm në çdo moment.
“Duhet të jemi të përqendruar, jo vetëm për 90, por për 94-95 minuta. E dimë që do të jetë e vështirë ndaj kësaj skuadre dhe këtyre lojtarëve. Ata kanë kaq shumë lojtarë të klasit botëror sa nuk duhet t’i heqësh asnjëherë sytë nga topi, sepse është gjithmonë një prej tyre që mund të bëjë ndonjë veprim magjik”.
“Ndeshja ndaj tyre në vitin 2009 ishte një nga ndeshjet më të mira të Çelsit, me luftë dhe vendosmëri. Por pastaj doli Iniesta me atë gjuajtje fantastike. Aq u nevojitet atyre, thjesht një gjuajtje. Mesi po bën gola në çdo pozicion por ata janë një skuadër. Njerëzit mendojnë se mjafton të ndalet Mesi, por ne e dimë që duhet të ndalim më shumë se Mesin”, përfundoi Eshli Kol. (LajmeShqip.com)