Tiranë – Dinamo-Tirana është finalja e Kupës së Shqipërisë, me ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin “Qemal Stafa”, në kryeqytet.
Dinamo arriti pas shtatë vjetësh në finalen e Kupës së Shqipërisë, nga viti 2004, pasi eliminoi në gjysmëfinale Vllazninë, falë golit të shënuar në fushën kundërshtare, pasi rezultati i përgjithshëm i takimit përfundoi 2-2.
Tirana, nga ana e saj eliminoi Besën me rezultatin e përgjithshëm 2-1: fitoi 1-0 në ndeshjen e parë dhe barazoi 1-1 në atë të kthimit në Kavajë.
Për herë të fundit në një finale të Kupës, Dinamo dhe Tirana, që e kanë fituar atë secila nga 13 herë, daton në sezonin 2001-2002, ku Tirana fitoi 1-0: gol i Indrit Fortuzit në minutën e 30-të.
Dinamo u kualifikua për herë të 19-të në finale, nga ku ka dalë fituese 13 herë. Për herë të fundit, Dinamo e ka fituar Kupën e Shqipërisë në edicionin 2002-2003, pikërisht në një finale të fituar 1-0 kundër Teutës së Durrësit, me një gol të realizuar nga January Ziambo.
Gjatë rrugës për në finale, Dinamo eliminoi Luzin 2008 (3-0, 7-2), Kamzën (3-2, 2-2), Shkumbinin (1-2, 2-1, u kualifikua me penallti 9-9) dhe Vllazninë (1-2, 1-0).
Tirana merr pjesë për herë të 21-të në finale. Në 20 të parat e ka fituar 13 herë trofeun. Për herë të fundit e ka fituar në vitin 2006, kundër Vllaznisë (1-0, gol i Klodian Duros).
Gjatë rrugës për në finale, Tirana eliminoi Skraparin (1-0, 4-0), Adën e Velipojës (3-0, 2-2) dhe Bylisin (1-2, 5-1) dhe Besën (1-0, 1-1).