Përplasjet mes tifozerive të dy skuadrave Al Ahli e Al Masri në kampionatin egjiptian të futbollit, kanë sjellë të paktën 73 të vdekur. Lajmin e ka konfirmuar vetë Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit e cila ka thënë se sipas burimeve jozyrtare, bëhet fjalë për qindra të vdekur.
Tifozët e Al Masri, që ka fituar 3-1 ndeshjen, kanë pushtuar fushën në fund të takimit duke kërkuar përplasjen me tifozët kundërshtarë. Viktimat e para kanë qenë mes forcave të sigurisë në stadium, të cilat janë gjetur nën breshëri mjetesh të forta. Në të njëjtën kohë, futbollistët e Al Ahli dhe tifozë e kësaj skuadre janë mbyllur në ambientet e brendshme të stadiumit për t’i shpëtuar turmës së tërbuar.
Megjithatë, shumë prej tyre janë bërë objekt i dhunës së egër të tifozëve vendas. “Dhomat e zhveshjeve janë kthyer në morg”, ishte komenti i dëshmitarëve të ngjarjes në televizionin Al Xhazira.
Po sipas të njëjtit burim informacioni, mes të plagosurve janë edhe lojtarët e Al Ahli, ndërsa një bilanc i plotë do të jepet vetëm nesër pasi policia po përpiqet të shpërndajë tifozët që po shkaktojnë panik në rrugët e qytetit. (LajmeShqip.com)