Fabio Kapelo ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si trajner i kombëtares angleze të futbollit. Vendimi ka ardhur pas mbledhjes me drejtuesit e Federatës Angleze ku është diskutuar rreth çështjes Terri, heqjes së shiritit të tij dhe faktit që trajneri nuk është marrë në konsideratë duke polemizuar publikisht me punëdhënësit e tij.
Federata Angleze ka pranuar dorëheqjen e teknikut italian, ndërsa që nesër do të kërkojë zëvendësuesin e tij, ku në vend të parë në listë është trajneri aktual i Totenhemit, Herri Redknap.
“Pas një mbledhje që zgjati mbi një orë, u pranua dorëheqja e menjëhershme e Fabio Kapelo”, shkruhej në deklaratën e shpërndarë nga Federata Angleze që e ka falënderuar atë për bashkëpunimin trevjeçar.
Por Kapelo nuk ka qenë po aq i qetë në deklaratën e tij. “Më kanë bërë një injorim shumë të rëndë, duke dëmtuar autoritetin tim. Ajo që më ka goditur më shumë dhe që ka sjellë këtë vendim timin është fakti se nuk është zbatuar sensi i drejtësisë të shumëpërfolur anglosaksone që thotë se askush nuk është fajtor pa u provuar më parë në një sallë gjyqi”.
“Në rastin e Territ, ata i kanë krijuar një problem të madh ekipit kombëtar. Gjithmonë nuk më ka pëlqyer mungesa e respektit, ndaj e mora këtë vendim. Nuk është se kam nënvlerësuar racizmin, thjesht kërkoja respektimin e roleve dhe rregullave”, ishte komenti i trajnerit italian pas dorëheqjes. (LajmeShqip.com)