Durrës – Katër vajza kanë nisur këto ditë karrierën e tyre si gjyqtare futbolli, në takimet për kampionatin mes shkollave të mesme të Durrësit. Kjo është përvoja e parë e vajzave që thyejnë mitin e drejtimit të një ndeshjeje futbolli nga gjyqtaret femra në qytetin bregdetar.
Vëzhguesi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Fatmir Tare, tha se Xhoana Boja, Adifete Muça, Klesta Gjyla dhe Mane Hajdari janë nxënëse në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qeraxhia” të qytetit dhe prej disa kohësh janë përfshirë në trajnimet e Kolegjumit të Arbitrave, që organizohen në shkallë lokale dhe kombëtare.
“Katër gjyqtaret e reja kanë drejtuar këto ditë një pjesë të ndeshjeve të zhvilluara mes 16 shkollave të mesme të rrethit, në kuadër të nismës “Porti dhe sporti”. Muça, Boja, Hajdari dhe Gjyla kanë gjykuar takimet përkrah arbitrave me përvojë të kolegjiumit të Durrësit”, u shpreh Tare.
Sipas tij, aktivizimi në këto nivele shërben pozitivisht për të rejat që sapo kanë nisur karrierën e tyre si gjyqtare futbolli.
Ai tha se, “kjo është përvoja e parë e vajzave që drejtojnë takimet e futbollit në Durrës”.