Abedin Januzaj, babai i yllit të futbollit, Adnan Januzaj, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se Januzaj nuk është kontaktuar asnjëherë nga Federata Shqiptare e Futbollit, përkatësisht presidenti Armando Duka.
Abedin Januzaj i ka quajtur dezinformata lajmet se Adnani është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“Nuk kam pasur asnjë thirrje nga FSHF që të bisedojmë për Adnanin. FSHF ka bërë vetëm dezinformata duke thënë se e kanë kontaktuar Adnanin. Kreu i FSHF-së, Armando Duka ka thënë se ka biseduar me mua para tetë muajsh por kjo është gënjeshtër. Januzaj nuk e ka refuzuar Shqipërinë, sepse nuk ka marrë ftestë”, ka thënë ndër të tjera Abedin Januzaj.
Ai ka lënë të kuptohet se megjithëkëtë, dyert për kombëtaren shqiptare nuk janë mbyllur, por ka akuzuar Dukën për dezinformata dhe sjellje jo profesionale.
Januzaj ka përjashtuar mundësinë që djali i tij të luajë për Kroacinë, Turqinë apo Serbinë ndërkaq nuk ka përjashtuar mundësinë që Adnani të veshë fanellën e Anglisë.