Roberto Mançini ka lënë të kuptohet se në fund të këtij sezoni, Mario Baloteli do të largohet nga Mançester Siti. Në konferencën për shtyp pas humbjes me Arsenalin, trajneri italian tha se ai nuk do ta aktivizonte më lojtarin që mori karton të kuq, por më vonë ishte vetë klubi që saktësoi se këto fjalë ishin thënë sepse pritet një pezullim i gjatë për futbollistin nga Federata Angleze.
“Sa durim më ka mbetur për Balotelin? Ka mbaruar! Na kanë mbetur gjashtë ndeshje për të luajtur dhe ai nuk do të luajë në to. A do ta shes në fund të sezonit? Me shumë mundësi po. Por unë nuk e di ta them me saktësi, pasi ai është një lojtar i aftë për të shënuar edhe në minutën e fundit”.
“Ai nuk është një djalë i keq, është një futbollist fantastik. Por në këtë moment më vjen keq për të pasi vazhdon të çojë dëm talentin dhe cilësitë e tij. Shpresoj që ai ta kuptojë që është në një rrugë të keqe për të ardhmen e tij dhe se është ende në kohë të ndryshojë sjellje”.
Në fund edhe një batutë për mediat angleze, ku Mario Baloteli është kthyer në një personazh të rëndësishëm me veprimet e tij brenda dhe sidomos jashtë fushe. “Çfarë do të bëni ju nëse Mario largohet nga Anglia? Ju duhet të jeni të lumtur nëse Mario qëndron këtu. Në këtë mënyrë mund të shkruani 2-3 faqe gazete rreth tij”, tha trajneri.
Situata e fundit ka detyruar agjentin e lojtarit, Mino Raiola, të fluturojë me urgjencë drejt Anglisë për të bindur Mançester Sitin që të mos largojë futbollistin, gjë të cilën e ka pranuar edhe në një deklaratë për mediat italiane. Përveç kësaj, Baloteli tani rrezikon seriozisht të mbetet jashtë kombëtares italiane të futbollit, pasi tekniku Çezare Prandeli ka vendosur një kod të rreptë etike, të cilën lojtari e ka shkelur disa herë vetëm gjatë javës së fundit. (LajmeShqip.com)