Derek Çisora dhe Devid Hej nuk mund të bënin më shumë bujë edhe nëse do të mundnin vëllezërit Kliçko në ring. Dy boksierët vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes pas zënkës së tyre në konferencë e shtypit pas takimit Vitali Kliçko-Derek Çisora, ku ky i fundit u mund me pikë.
Policia gjermane ka arrestuar gjatë paradites në aeroportin e Mynihut boksierin Çisora, duke e marrë në komisariat për ta pyetur rreth ngjarjes së mbrëmshme.
Pas disa orësh pyetësor, ai është lënë i lirë të largohet dhe mund të kthehet në Angli.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim Devid Hej, i cili është zhdukur pa lënë gjurmë nga hoteli ku qëndronte dhe ku policia pritej ta merrte në pyetje.
Sipas vetëm burimeve policore, ai nuk është shfaqur as në aeroport, ndërsa është në kërkim pasi duhet marrë në pyetje rreth ngjarjeve të një nate më parë, ku dy boksierët qëlluan njëri-tjetrin me grushte dhe me shishe birre. (LajmeShqip.com)