Ndeshja derbi e të hënës mes Mançester Sitit dhe Mançester Junajtid do të vendosë fatin e titullit kampion në Angli dhe duket se tifozët e të dy skuadrave nuk duan që të humbin këtë mundësi për të parë idhujt e tyre.
Aq e lartë është kërkesa për bileta, sa aktualisht ato po shiten në internet me çmime që i afrohen 1500 eurove.
Kjo shifër do të thotë se blerësi i këtyre biletave është gati të paguajë 17 euro në minutë për të parë çfarë do të bëjë në këtë ndeshje Uejn Runi apo Serxho Aguero në stadiumin “Etihad” që ka 48 mijë vende.
Përveç faktit që për këtë ndeshje do të ketë forca të shtuara policie, drejtuesit e organeve të rendit në qytet frikësohen se mos shitja e pakontrolluar e biletave do të sjellë edhe uljen pranë njëri-tjetrit të tifozëve të të dy palëve, me pasojë përplasjen fizike gjatë ndeshjes.
Ata kanë bërë të qartë se çdo tifoz që do të shihet në sektorin e gabuar, do të nxirret jashtë nga stadiumi.
“Po i paralajmërojmë të gjithë tifozët që blejnë bileta në internet që ata mund të jenë false dhe nëse tifozët e një skuadre përfundojnë në zonën e tifozëve kundërshtarë, ata do të nxirren nga stadiumi”, ishte deklarata që lëshuan drejtuesit e policisë së Mançesterit. (LajmeShqip.com)