Formula 1 rrezikon të dëmtojë rëndë reputacionin e saj nëse nuk reagon ndaj situatës së tensionuar politike që po përjeton Bahreini, vend ku është planifikuar të zhvillohet një garë në fundin e muajit prill. Ky është mendimi i ish-kampionit të botës, Demon Hill, i cili ka qenë një prej të dërguarve të FIA-s në këtë vend për të mbikëqyrur situatën.
Në një intervistë për BBC, Demon Hill ka bërë të ditur se situata është shqetësuese edhe për sportin, sidomos pasi është mësuar për gjendjen e rëndë të aktivistit të burgosur, Abdulhadi Alkhauaja, i cili është në grevë urie prej 58 ditësh.
Sipas tij, zhvillimi i kësaj gare do të linte të kuptohej sikur drejtuesit e Formula 1 nuk shqetësoheshin për një situatë të tillë, ndërkohë që përplasjet mes protestuesve dhe policisë po shtohen dita-ditës.
“Mendoj se aktualisht situata po nxehet më shumë dhe nuk do të ishte zgjidhje e mirë të dëshironim të shkonim në Bahrein ndërsa situata përkeqësohet. Dy javë para garës, presidenti i të drejtave të njeriut në këtë vend, Alkhauaja, është në gjendje të rëndë në burg. Është një vendim i vështirë, por shqetësimi im do të jetë se bota e Formula 1 do të cilësohet si indiferente ndaj situatës dhe kjo do të dëmtojë rëndë imazhin e sportit”.
“Nëse ata detyrohen të vendosin masa të rrepta sigurie për të zhvilluar Çmimin e Madh të Bahrein dhe për të ndaluar protestuesit, atëherë do të ishte sikur Formula 1 të pozicionohej politikisht me qeverinë”, ishte komenti i Demon Hill.
Shumë pilotë kanë shprehur shqetësimin e tyre me këtë situatë dhe kanë bërë të qartë se nuk do të qëndrojnë duarkryq. Disa prej tyre kanë bërë të ditur se mund të refuzojnë të marrin pjesë në garë nëse ajo zhvillohet gjatë një periudhë kur protestat ndaj regjimit vazhdojnë, sepse kështu do të dukeshin sikur ishin dakord me situatën në këtë vend. (LajmeShqip.com)