Kapiteni i Juventusit, Alesandro Del Piero, është i bindur se ekipi i tij mund të marrë të dy trofetë këtë sezon, si kampionatin, ashtu edhe Kupën e Italisë. Nëpërmjet faqes së tij të internetit, Del Piero ka shpjeguar se suksesi kundër Milanit ka shtuar besimin te skuadra.
“Nëse kishim nevojë për konfirmim të faktit se duhet të kërkojmë maksimumin në të gjitha frontet, mbrëmja e “San Siro” na ka treguar se duhet të besojmë më shumë të aftësitë tona”, u shpreh ai. “Ky është një tjetër hap i rëndësishëm, por objektivi mbetet ende larg”.
Edhe trajneri Antonio Konte këtë radhë ka folur me më shumë eufori se zakonisht, sidomos për blerjet e reja që u treguan vendimtare që në ndeshjen e parë.
“Ajo që më pëlqeu më shumë ishte përgjigja që më dhanë futbollistët e rinj. Ishte një etapë e rëndësishme për rritjen tonë. Kemi ndryshuar 8/11 e skuadrës që luajti të dielën dhe përsëri bëmë një ndeshje të madhe. Nuk mund të bësh një ndryshim kaq të madh pa patur pas krahëve shumë punë dhe vendosmëri”, u shpreh trajneri i bardhezinjve, i cili gjithsesi bëri të qartë se kualifikimi në finale nuk është mbyllur.
“Do të ishte gabim të mendonim se jemi kualifikuar. Milan është një ekip i madh dhe mund të përmbysë gjithçka”. (LajmeShqip.com)