Visente Del Boske, trajneri i përfaqësueses së Spanjës, nuk mendon se “El Clasico” i ardhshëm do të dëmtojë frymën e grupit brenda kombëtares, sido që të shkojë ndeshja në favor të madrilenëve apo katalanasve.
Vetë futbollistët e dy skuadrave bënë të ditur se vitin e kaluar kishin lindur shumë polemika me njëri-tjetrin për shkak të ndeshjeve radhazi që luajtën në fund të kampionatit. Por Del Boske mendon të kundërtën dhe thotë se dëshiron të shohë “El Clasico” edhe në finalen e Ligës së Kampioneve.
“Çfarëdo që të ndodhë në këtë ndeshje, jam i sigurt se ajo nuk do të ndikojë absolutisht në grupin e kombëtares. Dëshira jonë është që edhe në finalen e Ligës së Kampioneve të shohim ndeshjen Real Madrid-Barcelona”.
“Duhet të shfrytëzojmë në maksimum këtë moment të futbollit spanjoll, pasi 5 nga 8 skuadrat gjysmëfinaliste të aktiviteteve evropiane vijnë nga kampionati ynë. Jam i sigurt se këto ndeshje, ashtu si edhe ajo e të shtunës, nuk kanë për të ndryshuar në asnjë mënyrë klimën e mirë miqësore që ekziston në përfaqësuese”, tha ai. (LajmeShqip.com)