Dënimi i dhënë ndaj Alberto Kontador për çështjen e dopingut, ka krijuar një re të madhe polemikash, pasi francezët kanë shfrytëzuar rastin për të akuzuar spanjollët se fitojnë vetëm falë substancave të palejuara. Një emision satirik me kukulla i televizionit të njohur “Canal+” ka bërë dy video humoristike që kanë bërë shumë bujë. Në të parën shpjegohet se Rafael Nadal fiton në tenis vetëm falë substancave të palejuara. Por video e dytë është më e rëndë pasi shfaq Rafael Nadal, Iker Kazijas dhe Pau Gasol duke shkruar me shiringë një letër mbështetje për Alberto Kontador.
Nëse këto video kanë bërë shumë bujë në Spanjë, ku publiku ka kërkuar edhe reagim shtetëror ndaj kësaj tallje me figurat kombëtare, vetë Nadal ka tentuar të minimizojë gjithçka. “Janë gjithmonë të njëjtit persona që akuzojnë pa asnjë provë. Do të shqetësohesha nëse do të ishin të tjerë. Thjesht është çështje xhelozie pasi ne fitojmë me më pak burime në dispozicion se ato. Nuk është çështje shiringash, spanjollët kanë më shumë shpirtin e përmirësimit dhe kërkesën e lartë ndaj vetvetes. Këto janë arsyet e vërteta pse fitojmë në sport”, deklaroi Nadal. Gjithsesi, Federata Spanjolle e Tenisit ka vendosur të hedhë në gjyq emisionin satirik dhe “Canal+” për fyerje dhe shpifje. (LajmeShqip.com)