Daniele De Rosi do të vazhdojë të jetë një futbollist i Romës edhe për të paktën 5 sezonet e ardhshme. Pas shumë bisedimesh, mesfushori dhe klubi kanë gjetur akordin për kontratën e re. Për zyrtarizmin e saj ka ardhur edhe deklarata e drejtorit sportiv kryeqytetas, Baldini, pas suksesit 4-0 ndaj Inter.
“Për ne, De Rosi është një lojtar thelbësor. Të hënën, në një konferencë për shtyp, do të tregojmë edhe detajet e marrëveshjes dhe do të kuptoni që kemi bërë një sakrificë të jashtëzakonshme”, ishin fjalët e tij duke lënë të kuptohet se lojtari ka pësuar një rritje rroge të ndjeshme.
Edhe trajneri Luis Enrike ka folur fjalët më të mira për atë që do të jetë kapiteni i kryeqytetasve në ditën që Françesko Toti do të lërë futbollin. “Për mua nuk ishte një surprizë e madhe. Unë nuk kisha asnjë dyshim, ai është një pikë referimi për ata që kanë në zemër ekipin e Romës”, deklaroi tekniku spanjoll. (LajmeShqip.com)