Aurelio De Laurentis ka konfirmuar se askush nuk do të largohet nga skuadra e Napolit me iniciativën e tij. Sipas drejtuesit të ekipit italian, zëra e merkatos janë të pabazuara dhe se vetëm Ezekuiel Laveci mund të largohet, pasi ka një klauzolë në kontratën e tij që ia lejon ta bëjë të mundur një gjë të tillë.
“Nga Napoli nuk lëviz asnjeri, kemi një projekt për rritjen e mëtejshme”, tha ai për “Sky”. “Merkatoja e klubit? Është vetëm Laveci që ka një klauzolë largimi prej 32 milionë eurosh në kontratën e nënshkruar. Vetëm ai mund të vendosë të transferohet, nëse dëshiron të shkojë në Rusi. Duhet kuptuar nëse dikush punon vetëm për paratë. Unë punoj për gjëra të tjera”, tha ai.
Më pas, një koment edhe për trajnerin Maxarri, me të cilin ka patur shumë debate publike, si dhe skuadrën e cila ka kaluar nga një moment i shkëlqyer në një periudhë negative dhe rrezikon seriozisht që të mos kualifikohet në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
“Me Maxarrin ka një bashkëpunim mjaft simpatik. Dukemi të nervozuar me njëri-tjetrin, por realiteti është që të dy mbrojmë fort rolet tona të vështira. Skuadrës i kam thënë që të jemi të ndershëm dhe mos vazhdojë të përdorim justifikimin e Ligës së Kampioneve. Kemi qenë të pafat por tani kemi 6 ndeshje që mund të fitohen dhe mund të bëjmë detyrën tonë deri në fund të sezonit”, u shpreh presidenti i Napolit. (LajmeShqip.com)