Festa pas fitoren me Norvegjinë nuk ka zgjatur më shumë se 12 orë në radhët e kombëtares kuqezi, pasi trajneri De Biasi ka filluar që sot të përgatitet për ndeshjen e qershorit kundër skandinavëve në Tiranë. Një fakt të tille ka konfirmuar vetë tekniku italian në momentin kur kombëtarja kuqezi ka mbërritur përsëri në Shqipëri për t’u kthyer në grumbullim në Durrës, pasi të martën luan miqësoren ndaj Lituanisë.
“Sigurisht që nuk e prisnim këtë fitore, pasi ishte një ndeshje e vështirë, por shkuam atje të bindur për një rezultat pozitiv. Skuadra bëri një lojë të mirë dhe morëm tre pikë që na mbajnë ende shpresat gjallë për të shkuar në Brazil. Kjo fitore na shërben si për moralin, ashtu edhe për objektivin. Skuadra po përmirësohet ndjeshëm, ndërkohë që unë kam një problem tashmë për ndeshjen e kthimit me Norvegjinë pas rreth dy muajsh, pasi më mungojnë lojtarë kryesorë si Cana, Lila dhe Roshi. Këto më shqetësojnë”, ishin fjalët e De Biasit në aeroport menjëherë pas kthimit në vendin tonë.
Për fitoren e mbrëmshme ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në fakt është shfaqur mjaft kritik në fjalët e tij ndaj skuadrës, duke theksuar se jo gjithçka duhej parë me syrin e mbrëmjes perfekte.
“Kombëtarja luajti ndryshe nga herët e tjera, nuk pritëm për një 0-0, por kërkoi ta fitojë ndeshjen. Edhe gabuam, gabuam shumë, fatmirësisht Norvegjia nuk i shfrytëzoi gabimet tona. Salihi e interpretoi shkëlqyeshëm atë goditje dënimi. Kualifikimi është shumë i vështirë. Për të arritur në Brazil rruga është shumë e gjatë, por ne duhet të punojmë shumë ndeshje pas ndeshje. Kuptohet që ne jemi një ekip modest, por shpresa vdes e fundit”, ishin fjalët e drejtuesit më të lartë të FSHF-së. (LajmeShqip.com)