E ardhmja e Shqipërisë do të jetë me Xhani De Biazin. Trajneri italian, që mori drejtimin e përfaqësuses dy vjet më parë, do të vazhdoje bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për dy vitet e ardhshme. Lajmi është konfirmuar nga vetë trajneri i përfaqësueses shqiptare në konferencën për shtyp, të mbajtur paradien e sotme në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, shkruan tema.
Prej kohësh cështja e rinovimit të kontratës së tij ishte kthyer në një rebus, por italiani ka zgjidhur të gjitha enigmat, duke konfirmuar vazhdimësinë me synimin për të arritur tashmë një vend në finalet e Europianit “Francë 2016″, i cili do të jetë dhe i pari me 24 skuadra në historinë e këtij kompeticioni. 57 vjecari, që udhëhoqi Shqipërinë gjatë eliminatoreve për Botërorin “Brazil 2014″, duke grumbulluar 11 pikë në 10 ndeshje, ishte bërë shumë i dashur për tifozët kuqezi, të cilët shpesh kishin kërkuar vazhdimësinë e tij. Në total, përfshi dhe takimet miqësore, italiani ka udhëhequr kuqezinjtë në 17 ndeshje, duke regjistruar 7 fitore, 3 barazime dhe shtatë humbje, për një golavarazh pozitiv prej 20-17.