Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, në një intervistë të gjatë për tuttomercatoweb.com ka treguar se si ka ndryshuar tashmë mendimi për përfaqësuesen që ai drejton dhe se si është rritur optimizmi për pjesëmarrjen në Botërorin 2014. Sipas tij, situata është e tillë sa shumëkush do ta cilësojë si dështim nëse Shqipëria nuk arrin të shkojë në këtë aktivitet ndërkombëtar.
-Xhani De Biasi, Shqipëria është një prej surprizave të kualifikueseve të Botërorit. Skuadra është e dyta në grupin e saj pas Zvicrës. Vendimtar ishte suksesi i marrë në Oslo kundër Norvegjisë…
“Një fitore e rëndësishme kundër një skuadre që në renditjen e FIFA-s është 35 pozicione më lart. Duke gërmuar në kujtesë, nuk ka ekzistuar asnjëherë një sukses jashtë fushe ndaj një skuadre që gjendej para në renditje. Por unë jam i lumtur edhe për miqësoren kundër Lituanisë, një fitore e bukur 4-1 që më ka dhënë sinjale të rëndësishme para sfidës së 7 qershorit ku do të luajmë përsëri me Norvegjinë, këtë radhë në shtëpi”.
-Në një intervistë të vjetër e keni cilësuar të pamundur kualifikimin në Botëror…
“E vërtetë, por oreksi vjen duke ngrënë dhe gjëja që më çudit më shumë tani është se në Shqipëri duket thuajse një dështim nëse nuk arrijmë të sigurojmë pjesëmarrjen në Brazil 2014”.
-Cila ishte pritshmëria kur morët detyrën e trajnerit të kombëtares?
“Kur mora drejtimin ekipit dikush më tha se ishte momenti i gabuar, se vihej nga një periudhë në të cilën flamujt e vjetër po largoheshin. Në të kaluarën kishte skuadra më të forta, kombëtarja mund të grumbullonte shumë lojtarë që militonin në Gjermani, por edhe në Itali si Tare. Them se me këtë skuadër, nëse në fillim të kualifikueseve do të kisha parashikuar vendin e tretë, të gjithë do të fërkonin duart nga kënaqësia. Tani duket sikur një gjë e tillë nuk mjafton”.
-Si u prit në Shqipëri fitorja ndaj Norvegjisë?
“Një gëzim i jashtëzakonshëm. Dukej i njëjtë me atë kur Italia fitoi Botërorin. Ishin të gjithë të mahnitur, shpresa në fillim të ndeshjes ishte të merrnim maksimumin një barazim. Ishte hera e parë që arrihej në një sukses të ngjashëm dhe me të drejtë, si në të gjithë herët e para, festohet në mënyrë të veçantë”.
-Cilët janë rivalët tuaj në grup?
“Në këtë moment i frikësohem të gjithëve: sigurisht Norvegjisë, por edhe Islandës që të gjithë e nënvlerësojnë, por që ka lojtarë që luanin titullarë në kampionatin anglez si Sigurdson i Totenhem. Më ka çuditur Sllovenia, që ka marrë vetëm 3 pikë, e vështirë ta shpjegosh këtë rënie”.
-Si e sheh me qetësi rrugëtimin e Shqipërisë?
“Si fillim dua të them se që në momentin që shkova aty, kam parë hapa para në organizimin e lojës. Jemi rritur faktikisht dhe shpresojmë që deri në fund të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Fatkeqësisht, ndaj Norvegjisë do të na mungojnë 3 lojtarë: Cana i Lacios, Roshi, që është një lojtar që vlerësoj shumë por luan pak te FSV Frankfurt në Gjermani dhe Lila që luan te Pas Janina në Greqi. Nuk do të jetë e lehtë por para vështirësive reagojmë në mënyrën e duhur”.
-Ku duhet të mësojë kjo skuadër?
“Këto djem nuk duhet të kënaqen dhe t’u duket vetmja të mirë. Me Lituaninë kisha frikë për një rënie të ritmit pas fitores në Oslo. Por jam kënaqur pozitivisht nga prova e skuadrës”. (LajmeShqip.com)