David Silva mendon se ka kaluar koha kur Mançester Siti duhej të mendonte me frikë për Mançester Junajtid, pasi ekipi i tij ka provuar se është më i fortë duke fituar derbin e titullit kampion.
“Tani nuk kemi pse të mendojmë për Mançester Junajtid, e kemi kaluar këtë fazë psikologjike. Ne jemi gati të fitojmë titullin dhe nuk përqendrohemi më te Junajtid. Tani përqendrohemi te vetja. I mundëm në fushën e tyre, tani i mundëm edhe këtu”.
“Mos të keqkuptohemi, Junajtid është një skuadër e madhe, një ekip fantastik. Ata kanë fituar tituj për një kohë të gjatë por siç e thashë, i mundëm si në fushën e tyre, ashtu edhe në fushën tonë”, vijoi spanjolli.
Humbjet e njëpasnjëshme në derbi kishin sjell mosbesim në radhët e ekipit të Sitit, por tani situata ka ndryshuar plotësisht, siç e tregoi edhe fitorja 6-1 në “Old Traford” në fazën e parë të kampionatit.
“Kjo fitore ishte e rëndësishme psikologjikisht për ne sepse e dinim që na duhej vetëm fitorja. E arritëm një gjë të tillë dhe tani kemi besimin që na nevojitet për t’u përqendruar te dy ndeshjet e fundit. Nuk hoqëm kurrë dorë nga titulli, edhe pse mbërriti një moment kur e dinim që ishte shumë i vështirë për t’u arritur. Tani është e rëndësishme që të çojmë punën deri në fund”, tha futbollisti i përfaqësueses spanjolle. (LajmeShqip.com)